Antologjia Poetike "Çurgon vargu", që tashmë lexuesit e kanë në duar, është një tjetër takim me poezinë pas botimit të Antologjisë së parë poetike. Ky botim është fryt i iniciativës dhe i dedikimit të Drejtorit dhe kryeredaktorit të revistës letrare, kulturore e artistike "Orfeu", Dibran Fylli në bashkëpunim me stafin, në përzgjedhjen e vargjeve të autorëve të ndryshëm. Në të prezantohen 35 poetë, prej të cilëve 23 nga hapësira shqiptare e diaspora dhe 12 poetë ndërkombëtarë të përkthyer në gjuhën shqipe nga Irma Kurti dhe Angela Kosta.
"Orfeu" prej kohësh u ka hapur dyert krijuesve nga mbarë bota, duke i pasuruar çdo ditë e më tepër faqet e revistës me praninë e autorëve të rinj dhe të mirënjohur n ë shkallë kombëtare e ndërkombëtare. Si e tillë ajo kërkohet dhe lexohet me kënaqësi jo vetëm nga autorët e botuar, por nga të gjithë ata që e duan poezinë. Ashtu si një ekspozitë me punime artistike shumëngjyrëshe, në këtë përmbledhje poetike shpalosen një mori tematikash, stilesh, individualitetesh nga krijues me një bagazh të ndryshëm letrar dhe jetësor, të veçantë dhe unik.
Të shkruash poezi në një copë letër nuk është thjesht çështje pasioni apo hobi. Poezia rreket të depërtojë në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor, të zbulojë ato ndjenja, emocione, vuajtje apo mundime, të cilat nuk është aspak e lehtë t'i deshifrosh apo t'u japësh një emër. Poezia bëhet shpesh zëri ynë i brendshëm, terapia më e mirë për të zbutur dhembjen dhe vuajtjen, për të shpërfaqur mallin dhe nostalgjinë, që janë bashkëshoqërues në rrugëtimin letrar.
Poeti dhe filozofi libanez Khalil Gibran lidhur me forcën e poezisë shprehet kështu: "Poezia është shpëtimi/pas të cilit kacavirrem /kur gjithçka duket se po venitet.
Tematikat që mbizotërojnë në këtë Antologji janë të larmishme: Malli për atdheun, dashuria në kuptimin universal të fjalës, dëshira për paqe dhe qetësi, e cila rëndom transformohet në një klithmë revolte dhe dëshpërimi në këtë kohë të çmendur dhe të trazuar, ku zëri i poezisë ndodh të mos dëgjohet në një të përditshme të mbushur me politikë, kaos, luftëra dhe shkatërrim. Vargjet reflektojnë shpirtin e dëlirë dhe të paqetë të poetëve në çastet e vetmisë e të meditimit, gjithmonë në kërkim të ndjesive të forta dhe autoktone, në kërkim të një botë më të mirë, larg dhunës, mizorisë dhe mjerimit. Ato zbulojnë po ashtu emocionet më të thella dhe sensacionet më të bukura, gëzimet e veshura me melankoli, si pikat e shiut që të sjellin ndërmend një dashuri të largët apo të humbur. Poezitë bëhen pasqyrë e gamës së ndijimeve njëherësh delikate dhe të forta, të bukura dhe të pakapshme të shpirtit njerëzor në veçanti atij poetik. Sepse siç shprehet shkrimtari francez Viktor Hugo në veprën e tij "Të mjerët":
"Ka një spektakël më madhështor se deti, dhe ai është qielli, ka një spektakël më madhështor se qielli, dhe është brendësia e një shpirti."
Duke lexuar poezitë e Antologjisë mund të prekësh me dorë dhe të ndjesh magjinë e të shkruarit. Poezia nuk ndan, ajo bashkon, ndër- ton ura lidhëse dhe komunikimi duke i kapërcyer pengesat, kufijtë, pavarësisht nga gjuha, traditat, zakonet, duke marrë kështu një karak- ter universal.
Antologjia Poetike "Çurgon vargu" është dëshmi e kësaj. Duke lexuar vargjet të duket sikur udhëton në vende të afërta dhe të largëta duke u njohur me krijues nga treva të ndryshme shqiptare apo në emigrim, të cilët kanë lënë atdheun, pa e braktisur atë kurrë, duke i këndu- ar dhe përjetësuar kujtimet në vargjet e tyre. Njihesh gjithashtu edhe me poetë apo botues të njohur ndërkombëtarë si Stanley H. Barkan, Francesca Gallello, Massimo Massa e Maria Grazia Vai dhe kupton se ajo që i bashkon të gjithë poetët, pavarësisht nga vendndodhja, eksperienca, tematikat e trajtuara është vetë poezia.
Add comment
Comments